
Dy persona, një burrë 27-vjeçar dhe një foshnjë, janë gjetur pa shenja jete në një shtëpi në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës më 1 nëntor, rreth orës 08:47.
Sipas njoftimit të Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor.
Pas ekzaminimit, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorinë, janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”.