Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qytetarët e Mitrovicës ankohen për çmimet e larta, inflacioni arrin 7.8 për qind

Gazeta10
01 November 2026 - 13:40

Rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve po ua vështirëson qytetarëve të Mitrovicës përballimin e shpenzimeve të përditshme, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Ata thonë se pensionet dhe pagat nuk po mjaftojnë për nevojat mujore, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile dhe vlerësojnë se gjendja rëndohet edhe nga papunësia, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për punësim.

Rifat Ahmeti ka thënë për KosovaPress se pensionet janë të ulëta, ndërsa çmimet vazhdojnë të jenë të larta.

“Çmimet janë shumë të larta, ndërsa pensionet dhe rrogat nuk janë të mëdha. Pensionet i kemi shumë të vogla, kurse çmimet janë të larta. Për ne nuk po interesohet askush. Ai që ka fëmijë e ka edhe më vështirë, ndërsa ai që nuk ka fëmijë po kapërcen disi”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Bedri Ibrahimi tha se përballimi i shpenzimeve varetnga të ardhurat dhe numri i anëtarëve të familjes.

“Çka me thënë? Nevojë e tregtarëve, s’po di tjetër çka me thënë, veç nevojë e tregtarëve. Nevoja të shtin me përballu edhe ata, edhe ata, tjetër nuk ka. Po varet sa shpenzon, sa anëtarë jeni në familje. Varet krejt prej asaj, edhe sa e ke pensionin. Nëse e ke pensionin pak më të mirë, prapë mundesh me bo diçka, përndryshe vështirë. Krejt këto, krejt nevojë e tregtarëve janë. Qaty e blen 1.20, 1.50 euro, ma anej del ta shet 2 euro”, tha Ibrahami.

Edhe Sjedi Rrustemi u ankua për çmimet, duke i krahasuar ato me kostot e produkteve dhe shërbimeve në Suedi, ku, sipas tij, pagat janë dukshëm më të larta.

Në anën tjetër, Deli Sefedini tha se pensionistët po përballen me vështirësi për shkak të pensioneve të ulëta dhe rritjes së çmimeve. Ai tha se ka punuar për 35 vjet, por vetëm 15 vjet i janë llogaritur për pension.

Mehmet Salihu, aktivist i shoqërisë civile, vlerëson se rritja e çmimeve po ndikon veçanërisht te familjet që marrin asistencë sociale dhe te punëtorët e sektorit privat.

Salihu kërkoi më shumë angazhim institucional për mbrojtjen e konsumatorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Ndërkaq, gazetari Urall Boshnjaku tha se rritja e çmimeve po ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve, në një komunë ku, sipastij, mundësitë e punësimit mbeten të kufizuara.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në shtator 2026 është rritur për 7.8 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, transmeton KosovaPress.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor ishte 0,2 për qind krahasuar me gushtin 2026.

Ndërsa, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, me 23,9 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,9 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 6,3 për qind.

Gjithashtu të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se papunësia mbetet sfidë në Mitrovicë. Sipas profilit të komunës, të publikuar në korrik 2026 bazuar në Regjistrimin e Popullsisë të vitit 2024, shkalla e papunësisë te personat e moshës 25 deri në 64 vjeç ishte 19 për qind, kundrejt 12.7 për qind në nivel vendi. Te të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, kjo shkallë arrinte në 26.8 për qind. Raporti tregon gjithashtu se 12.5 për qind e popullsisë së komunës i kishte pensionet burim kryesor të të ardhurave.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.