
Psikologia Mimoza Shahini ka rrëfyer për mënyrën se si vazhdoi jetën profesionale dhe angazhimet humanitare edhe gjatë trajtimit me kimioterapi, duke treguar se si dhimbja fizike dhe përvoja e sëmundjes e mësuan të kuptonte më thellë vuajtjen njerëzore.
Pavarësisht vështirësive shëndetësore, Shahini thotë se nuk u shkëput nga puna dhe aktivitetet e saj, dhe u angazhua në aktivitete humanitare brenda spitalit, duke u përpjekur të ndihmonte edhe pacientët e tjerë.
“Kam qenë e angazhuar gjithë kohën, kam qenë duke punuar edhe pse isha me kimioterapi, e cila ishte me rrota. Jam munduar të ndihmoj të sëmurët e tjerë, në aktivitete humanitare që zhvilloheshin brenda spitalit. Kam vazhduar mësimin online, kam mbajtur provime. Unë e kam zhvilluar aktivitetin tim sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, rrëfen Shahini.
Ajo thekson se dhimbja fizike u bë pjesë e përditshmërisë së saj, ndërsa përvoja me sëmundjen i dha një kuptim të ri vuajtjes, të cilën thotë se më parë nuk e kishte njohur nga afër.
“Dhimbja fizike që unë ndjeja ishte pjesë e eksperiencës sime. Unë kam mësuar shumë gjatë kohës që vuaja, sepse nuk e kam ditur çka do të thotë të vuash, ndërsa tani e di”, shprehet ajo në ‘Expose’
Në rrëfimin e saj, psikologia përcjell edhe një mesazh për forcën e brendshme dhe rëndësinë e gjetjes së energjisë për të vazhduar përpara edhe në momentet më të vështira të jetës.