Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Raporti i Progresit: Qeveria ishte shumicën e kohës në detyrë, deputetët mbajtën jashtëligjshëm pozita edhe në Qeveri

Gazeta10
04 November 2026 - 15:01

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2026 ka evidentuar një sërë problemesh në funksionimin e institucioneve, duke përfshirë mungesën e mbikëqyrjes parlamentare, vonesat në reforma, vështirësitë në koordinimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në strukturat e qeverisjes.

Sipas raportit, Qeveria ishte në statusin e qeverisë në detyrë gjatë pjesës më të madhe të periudhës raportuese, gjë që kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe vonoi reformat strukturore. Funksionet e plota qeveritare u rikthyen vetëm për një periudhë të shkurtër pas formimit të Qeverisë në shkurt 2026, dhe sërish pas periudhës raportuese, në shtator 2026.

Komisioni Evropian vëren gjithashtu se gjatë kësaj periudhe, një numër i konsiderueshëm i deputetëve të rinj të zgjedhur vazhduan njëkohësisht të ushtronin funksione në ekzekutiv. Kjo praktikë, sipas raportit, duket se nuk është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë.

Ndonëse transparenca në vendimmarrje u ruajt formalisht, mungesa e mbikëqyrjes parlamentare e dobësoi efektivitetin e mekanizmave të llogaridhënies. Ndërkohë, autoritetet e pavarura rregullatore dhe Institucioni i Avokatit të Popullit vazhduan punën, por ndikimi i tyre i përgjithshëm mbeti i kufizuar.

Raporti thekson se koordinimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal vazhdon të jetë kryesisht reaktiv, duke ndikuar në zbatimin e përgjegjësive të deleguara dhe në planifikimin e zhvillimit lokal.

Sa i përket komunave në veri, Komisioni Evropian e cilëson zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të Kosovës në komunat me shumicë serbe, në dhjetor 2025, si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të qeverisjes lokale përfaqësuese.

Megjithatë, udhëheqjet e reja komunale në veri përballen me pengesa të shumta, përfshirë mungesën e qasjes në arkivat e plota dhe problemet me stafin e trashëguar nga administratat e mëparshme, i cili, sipas raportit, nuk e zotëron gjuhën e komunitetit shumicë në këto komuna dhe nuk pasqyron siç duhet përbërjen e tyre etnike.

Marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të nivelit qendror dhe të gjitha komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas raportit, mbeten të tensionuara. Shqetësimet lidhen me respektimin e kërkesave gjuhësore, pengesat procedurale, si dhe rastet kur Policia dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë kufizuar ushtrimin e kompetencave komunale ose realizimin e aktiviteteve të miratuara nga autoritetet lokale.

Një tjetër çështje e evidentuar është përfaqësimi i pamjaftueshëm i komuniteteve joshumicë në strukturat e qeverisjes, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Në këtë drejtim, raporti veçon emërimin e dy zëvendësministrave nga komuniteti serb i Kosovës në mars 2026, pa miratimin formal të shumicës së deputetëve serbë të Kosovës, siç kërkohet me Kushtetutë.

Sipas Komisionit Evropian, kjo ka ngritur shqetësime lidhur me përfaqësimin e komuniteteve pakicë dhe ka dobësuar të drejtat e tyre kushtetuese.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
04 November 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.