
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Valës së dorëheqjeve u janë bashkuar edhe shërbyesit civilë të Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Sipas stafit udhëheqës të këtij institucioni, kjo u ka vështirësuar jetën qytetarëve. Pas dorëheqjes së dhjetëra zyrtarëve të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore, kolegët shqiptarë i kanë marrë përsipër lëndët urgjente, shkruan Kanal10.
Një tjetër veturë me targa RKS është djegur të martën në Komunën e Zveçanit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se vetura së cilës i është vënë zjarri, është pronë e një qytetareje serbe të Kosovës, derisa ka shkuar në pesë numri i veturave të djegura javëve të fundit.
Për dallim nga ky rast, situata në veri të vendit ka qenë e qetë.
Ndërkohë, pas zyrtarizimit të dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga komuniteti serb, Gjykata dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë të Veriut, tani funksionon vetëm me zyrtarë shqiptarë.
Deri më tani, 10 prokurorë dhe 22 zyrtarë nga stafi administrativë të komunitetit serbë kanë paraqitur dorëheqjet, ndërsa kolegët shqiptarë kanë marrë përsipër rastet urgjente.
Për situatën në këtë sektor, Këshilli Prokurorial i Kosovës, të martën, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, ku është kërkuar që të vlerësohet gjendja në Prokurorinë e Mitrovicës dhe të ndërmerren masat e nevojshme për funksionimin e saj.
Sikur në prokurori, e njëjta gjendje është edhe në Gjykatën Themelore, ku rreth 150 zyrtarë kanë dhënë dorëheqje, derisa lëndët urgjente pritet të merren në shqyrtim nga gjykatës shqiptarë.
Ndërkaq, në rrugët e veriut rrallë herë shihen zyrtarë policorë duke patrulluar.
“Tash e disa dite, Policia e rajonit te Mitrovices Veriore eshte duke funksionuar me numer te vogel te stafit. Kjo pas doreheqjes se dhjetera zyrtareve policorë serbë. Kanal10 merr vesh se ata jane duke punuar nga 12 orë dhe shumë nga ta pa asnjë ditë pushim.”
Këtë të martë, kanë lënë detyrën edhe shërbyesit civilë të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.
Sipas zëvendëskryetarit të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, kjo ua ka vështirësuar jetën personave me asistencë sociale.
Zyrtarët nga komuniteti serbë kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet në komunat veriore të vendit, si dhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të ekzekutivit kosovar për konvertimin e targave ilegale në RKS. /Gazeta10