
Zbardhen detaje nga vendimi i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila akuzohet se i ka ofruar ndihmë gjatë kohës që ishte në arrati biznesmenit Ergys Agasi. BalkanWeb është njohur me përmbajtjen e vendimit të GJKKO, e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Hysenin.
Në dokumentin gjyqësor përshkruhen edhe komunikimet telefonike të Ergys Agasit me dy shtetas izraelitë, Shalev I. dhe Srulik E.K., ku ai u referohet njohjeve të tij me ish-drejtuesen e Shërbimit Sekret shqiptar dhe ndërhyrjeve që, sipas mesazheve, ajo mund të kryente.
Në një prej komunikimeve me shtetasin Shalev I., Agasi shkruan: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”. Ndërsa në komunikimin me shtetasin tjetër, Srulik E.K., Agasi i shkruan: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”. “Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasit me shtetasit me pseudonimet Shalev I., dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese.”, thuhet më tej në vendimin e GJKKO-së.
Këto komunikime janë pjesë e materialeve të pasqyruara në vendimin e GJKKO-së, ndërsa përmbajtja e tyre hedh dritë mbi kontaktet dhe marrëdhëniet e Agasit për ndikimin që mund të kishte Vlora Hyseni teksa biznesmeni ishte në arrati. Kujtojmë se më herët në dosjen hetimore të SPAK, u zbardhën komunikimet telefonike mes Agasit dhe Vlora Hysenit, ku këta të fundit flisnin për armiq që i donin të keqen dhe po i sulmonin, madje kjo e fundit e informonte dhe për lëvizjet e mundshme në politikë. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK lëshoi ndaj Hysenit masën ‘arrest shtëpie’ dhe shkarkim nga detyra, duke sjellë ‘furtunë’ reagimesh në opinionin publik shqiptar, për përmasat e këtij skandali se si kreu i SHESH përdor informacione sekrete për llogari të një personi të kërkuar nga drejtësia.