
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar menaxhimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke thënë se pavarësisht buxhetit prej 358 milionë eurosh në vitin 2025, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale.
Duke iu referuar raportit të progresit të Komisionit Evropian, Zemaj ka thënë se një pjesë e mjeteve të ndara për shëndetësi nuk është shpenzuar, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë. Sipas tij, kjo gjendje dëshmon për probleme në menaxhimin dhe funksionimin e sistemit shëndetësor.
“Ka të bëjë me pasqyrën serioze të gjendjes në të cilën ndodhet shëndetësia në Kosovë sipas raportit të progresit. Raporti i progresit nuk paraqet thjesht disa vërejtje teknike, por evidenton problemet e thella në menaxhimin, planifikimin dhe funksionimin e sistemit tonë shëndetësor. Ky raport e rrëzon propagandën qeveritare për suksesin në shëndetësi dhe vendos përballë realitetit të spitaleve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Të nderuar kolegë, qytetarë, çfarë kemi sot? Kemi buxhet më të madh, por barna esenciale që vazhdojnë të mungojnë. Kemi planet e miratuara për programe që nuk zbatohen. Kemi premtime për digjitalizim, por sistem informativ shëndetësor të fragmentuar dhe jo funksional. Kemi institucione që flasin për reforma, por nuk arrijnë asnjëherë t’i zbatojnë ato. Komisioni Evropian konstatoi se në vitin 2025 buxheti për shëndetësi arriti në 358 milionë euro. Megjithatë, një pjesë e mjeteve nuk ka arritur të shpenzohet, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale. Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjet qeveria: si është e mundur që kemi miliona në dispozicion, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë? A është një pyetje paaftësia, keqmenaxhimi apo tenderët njëburimor? Unë besoj se është kjo e fundit”, tha Zemaj.