Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Protestë kombëtare për Arlinda Zekajn sot në Prishtinë, kërkohet shkarkimi i Gërvallës e Sveçlës

Gazeta10
07 November 2026 - 8:12

Këtë të shtunë do të vazhdojë protesta me kërkesën për drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Protesta do të nisë nga ora 12:00, nga katedralaja “Nënë Tereza”.

Në thirrjen për t’iu bashkuar protestës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se vrasja makabre e Arlindës e ka ekspozuar në mënyrë të paprecedentë të gjithë zinxhirin institucional që, kur gratë ndihen në rrezik dhe kërkojnë ndihmë, në vend se t’i mbrojë, i anashkalon dhe “me duart e veta i dërgon drejt vrasjes”.

“Vrasja e saj si dhe reagimi shtetëror e ka vendosur shoqërinë tonë në një krizë dhe pasiguri shoqërore, të cilën mund ta kalojmë vetëm më përgjegjësi shtetërore dhe garantim që jeta e grave merret seriozisht. Të shtunën ju thërrasim në protestë gijthëkombëtare për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për t’i kërkuar këtij shteti që ta shpallë femicidin si urgjencë kombëtare si zotim për të gjitha ne vajzat e gratë e Kosovës. Arlinda Zekaj na e ka lënë amanet që të kërkojmë përgjegjësi, e këtë amanet ne po e zgjasim jo veç për Arlindën dhe çdo grua të vrarë por edhe për çdo vajzë e grua të gjallë”.

Kolektivi tha se patriarkisë shtetërore Arlinda Zekaj “ia ka lëkundë themelet”.

“Tani është e jona që këtë ta çojmë deri në fund, për t’i dhënë fund njëherë e mirë dhunës së shumëfishtë ndaj vajzave e grave në Kosovë”.

Kolektivi feminist ka radhitur edhe kërkesat e tyre, përfshirë edhe shkarkimin e ministrave Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla, të cilët refuzuan të japin dorëheqje.

Protestuesit gjithashtu kërkojnë edhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Zekaj u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Pejë nga i dyshuari ish-kunati i saj. Zekaj kishte shkruar disa letra drejtuar institucioneve të drejtësisë ku tregonte se jeta e saj ishte në rrezik, por nuk u ndërmor asgjë për të mbrojtur jetën e saj.

Megjithëse janë suspenduar disa zyrtarë për këtë rast, protestuesit kërkojnë përgjegjësi më të madhe nga ata që janë krye të sistemit të drejtësisë.

Të shtunën ne kërkojmë që shteti ta trajtojë me urgjencë femicidin dhe kërkojmë:

1. Shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit Suada Rama Hamza, kryetarin e gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtores së QPS-së Shpresa Lukajn, togerin Faruk Muqolli dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë;

2. Shkarkim të Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e Gazmend Muhaxherit;

3. Trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare;

4. Sigurim të banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje;

5. Veting apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë

6. Legalizim të sprejit vetëmbrojtës për gra

Në rrugë e sheshe, për sigurinë e çdo vajze e gruaje në Kosovë!

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
07 November 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.