
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën pas mbytjes së një anijeje me emigrantë në brigjet veriperëndimore të Senegalit. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në ujërat pranë zonës së Këbemerit.
Sipas bilancit paraprak të raportuar nga mediat shtetërore senegaleze dhe organizatat humanitare, një person ka arritur të mbijetojë, ndërsa një numër i paqartë personash rezultojnë ende të zhdukur.
Organizata joqeveritare “Action for Human Rights and Friendship” (ADHA) konfirmoi se tragjedia u mori jetën 34 personave, ndërsa vetëm një person shpëtoi.
Ministria e Brendshme e Senegalit bëri të ditur se autoritetet janë vënë në lëvizje për vijimin e kërkimeve, shpëtimin e të mbijetuarve të mundshëm dhe ofrimin e ndihmës për familjarët e viktimave.
Sipas gazetës “Le Soleil”, mbytja ndodhi pranë brigjeve të Lompoulit, në rajonin e Lugës, mes Dakarit dhe Saint-Louis. Dyshohet se shumica e viktimave vinin nga zonat Leona dhe Thiep.
Mijëra emigrantë kanë humbur jetën në rrugën drejt Evropës
Tragjedia rikthen në vëmendje rrezikun e madh me të cilin përballen emigrantët që nisen nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie të Spanjës, përmes rrugëve detare.
Sipas organizatës për të drejtat e emigrantëve “Walking Borders”, 635 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti në përpjekje për të arritur në Ishujt Kanarie.