Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

​Aksion policor për mashtrime përmes Call Center, arrestohen 14 persona në Prishtinë

Gazeta10
08 November 2022 - 21:44

Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale ka zhvilluar një aksion policor në disa qendra të thirrjeve të njohura si “Call Center”, në disa lagje të Prishtinës.

Ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë. Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimin e faqeve në internet.

Të njëjtit me këto veprime kanë kryer veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Mashtrimi” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësive të ndryshme policore si patrulla policore, Njësitë e Krimteknikës, Njësia K-9.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 14 persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor, i cili është shtetas i huaj. Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjeshme si: Dy vetura; 167 kompjuter desktop; 3 kompjuter laptop; 21 telefona mobil; 2 DVR; 2 HDD; 2 USB memorie; Dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 personat e arrestuar dërgohen në mbajtje prej 48 orësh./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.