
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj politikave ekonomike, duke thënë se suksesi ekonomik nuk duhet të matet vetëm me shifrat e buxhetit, por me ndikimin që ka në jetën e përditshme të qytetarëve.
Përmes një postimi, Hoti ka theksuar se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në pesë vitet e fundit kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar gati janë dyfishuar.
Ai ka vlerësuar se rritja e çmimeve e ka vështirësuar jetën e qytetarëve, duke kritikuar atë që e ka cilësuar si propagandë për sukses ekonomik.