
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Global Diplomacy Award”.
Ndarja e këtij çmimi është bërë në praninë e mbi 350 pjesëmarrësve nga 32 shtete të botës, të cilët u mblodhën në Turqi, me ftesë të organizatës “Global Journalism Council”.
Osmani është shprehur mirënjohëse pasi ka pranuar këtë çmim, duke thënë se diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron gjithmonë në anën e drejtësisë.
“Këtë çmim ia dedikoj, sikurse çdo çmim tjetër, popullit të përvuajtur të Kosovës, i cili sakrifikoi gjithçka, deri edhe fëmijët në djep, që ne sot ta gëzojmë lirinë. Njëkohësisht, ia dedikoj Atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova, i cili na mësoi rëndësinë e aleancave, të ndërtimit të urave dhe të kultivimit të miqësive.”, ka shkruar Osmani.
Gjithashtu, Osmani ka thënë se ky çmim është edhe një homazh për gazetarët që, gjatë luftës në Kosovë, me guximin për të treguar të vërtetën, ndihmuan në shpëtimin e jetëve të panumërta.
“Sepse gazetaria e guximshme nuk është vetëm dëshmi e historisë, por edhe mbrojtje e jetës dhe e njerëzimit.”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë: