
Lufta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar dëme prej rreth 200 miliardë dollarësh (afërsisht 180 miliardë euro) në vendet e Gjirit Persik. Sipas një raporti të kompanisë AllianzTrade, të publikuar sot, humbjet ekonomike mund të arrijnë deri në katërfishin e kësaj shume deri në vitin 2030.
Në fund të muajit shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme kundër Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe duke goditur vendet fqinje aleate të Uashingtonit, veçanërisht ato në rajonin e Gjirit.
Bazat ushtarake amerikane në rajon dhe infrastruktura civile pësuan dëme, veçanërisht që nga muaji korrik, kur në luftë u përfshinë edhe rebelët Huthi të Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani.
Këta të fundit shkëmbejnë pothuajse çdo ditë sulme me Arabinë Saudite fqinje, e cila udhëheq një koalicion ushtarak në mbështetje të qeverisë së Jemenit.
Rebelët Huthi marrin rregullisht përgjegjësinë për sulmet ndaj aeroportit të Riadit dhe objekteve të industrisë së naftës.
“Dëmet materiale në të gjithë rajonin vlerësohen në pak më shumë se 200 miliardë dollarë, të përqendruara kryesisht në ekonomitë që varen nga Ngushtica e Hormuzit, veçanërisht në infrastrukturën energjetike”, thuhet në raport.
Më shumë se 80 objekte energjetike janë goditur gjatë luftës, kryesisht në Kuvajt, Katar dhe Bahrein. Rreth një e treta e tyre kanë pësuar dëme të rënda.
Raporti përfshin gjashtë vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit: Arabinë Saudite, Omanin, Katarin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin.
Lufta ka ndikuar gjithashtu në turizëm dhe në sektorin e pasurive të paluajtshme, të cilët pritet të përjetojnë një rritje më të ngadaltë gjatë viteve të ardhshme.
“Kostoja e përgjithshme e luftës për vendet e Gjirit pritet të arrijë në 790 miliardë dollarë, ose një deficit të akumuluar prej 5,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), krahasuar me tendencën ekonomike të paraluftës, deri në vitin 2030”, theksohet në raport.
Kjo shifër pasqyron humbjet e akumuluara të prodhimit ekonomik gjatë periudhës 2026–2030, pra diferencën mes asaj që rajoni do të kishte prodhuar nëse do të vazhdonte me ritmin e rritjes ekonomike përpara luftës dhe asaj që pritet të prodhojë tani.
Për të kompensuar këto humbje, shtetet e Gjirit do të duhet të rrisin shpenzimet publike, ndërsa prioritetet e qeverive pritet të largohen nga projektet e mëdha infrastrukturore dhe zhvillimore, për t’u përqendruar më shumë te qëndrueshmëria ekonomike dhe çështjet e sigurisë.
Raporti paralajmëron gjithashtu për një rritje të ndjeshme të borxhit të këtyre vendeve.
Sipas vlerësimeve, shpenzimet publike për infrastrukturën dhe mbrojtjen pritet të arrijnë nga 380 deri në 400 miliardë dollarë deri në vitin 2030.
PBB-ja e Arabisë Saudite, një prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, pritet të tkurret me 3,3%, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Pavarësisht luftës dhe kufizimeve në qarkullimin detar përmes Ngushticës së Bab el-Mandebit, për shkak të sulmeve të rebelëve Huthi, gjiganti saudit i naftës Aramco njoftoi në fillim të muajit nëntor një rritje prej 34,6% të fitimit neto në tremujorin e tretë. /Panorama