
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është kundërpërgjigjur deputetes Janina Ymeri lidhur me deklaratat e saj për projektet energjetike dhe raportimet rreth tyre.
E ftuar në emisionin “Politiko”, në Kanal10, Rizvanolli ka ironizuar me deklaratat e deputetes Ymeri, duke thënë se nuk është befasuar nga pretendimet e saj.
“Për atë që sheh gjëra që nuk janë, unë e kam ditur. Por që nuk sheh gjëra që janë, këtë nuk e kam ditur”, ka deklaruar Rizvanolli.
Gjatë intervistës, ministrja ka folur edhe për rastin e turbinave në Zatriq, duke bërë të ditur se kishte kontaktuar KOSTT-in për të marrë informacione lidhur me funksionalizimin e tyre.
Sipas Rizvanollit, nga informatat që kishte marrë, turbinat ishin drejt përfundimit dhe shiheshin duke punuar.
Ajo ka theksuar se në momentin kur kishte kërkuar informacione, prodhimi i energjisë kishte arritur në 68 megavat, duke kundërshtuar kështu pretendimet se turbinat nuk ishin në funksion./Gazeta10