
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka ripërsëritur qëndrimin e tij për nevojën e një marrëveshjeje politike ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e ka cilësuar si “koalicion për shtet”.
Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, Mustafa tha se vazhdon të mbështesë bashkëpunimin ndërmjet dy subjekteve politike, pavarësisht kundërshtimeve që, sipas tij, po bëhen ndaj kësaj ideje.
Ai theksoi se disa prej kundërshtarëve të një koalicioni të tillë vlerësojnë se kjo marrëveshje do t’ia zgjaste mandatin politik kryeministrit Albin Kurti dhe se ai duhet të përballet me sfidën e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, Mustafa rikujtoi se vendi tashmë ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje radhazi, duke theksuar se konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën.
“Pikërisht për këtë kam propozuar bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Atë e kam quajtur koalicion për shtet. E di se ka kundërshtime të shumta. Disa thonë se koalicioni i tillë do t’ia zgjaste jetën politike Albin Kurtit dhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhje. Ju kujtoj se tri herë radhazi janë mbajtur zgjedhje, njëra pas tjetrës. Megjithatë, e respektoj këtë qëndrim dhe besoj se konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën”, tha Mustafa.