Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kuvendi fut në rend dite Ligjin për Specialen, Çitaku zotohet për amendamentim brenda dy javësh

Gazeta10
12 November 2026 - 12:08

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 79 vota për përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky projektligj ishte miratuar më 6 tetor në dy leximet, mirëpo i njëjti është kthyer sërish në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula me kërkesë të PDK-së.

Kjo pikë është vendosur si e fundit në rendin e ditës të seancës së sotme, pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Gjatë prezantimit të kërkesës, Çitaku u kërkoi deputetëve që Ligji për Specialen të miratohet sot dhe që më pas procedura e amendamentimit të tij të nisë menjëherë, duke propozuar që këtij procesi t’i jepen dy javë kohë.

Mbështetje për përfshirjen e kësaj pike në rend të ditës shprehu edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Ajo tha se LVV-ja kishte vlerësime se projektligji dhe mënyra e trajtimit të tij nuk përbënin rrugën e duhur, por megjithatë vendosi ta mbështesë kërkesën e PDK-së, me mundësinë që çështja të diskutohej sërish.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se partia e saj e ka të njëjtin qëndrim për këtë ligj, sikurse në momentin kur ishte propozuar për herë të parë.

Gjatë diskutimit pati edhe përplasje mes Çitakut dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Çitaku kërkoi që kjo pikë të vendosej menjëherë pas pyetjeve parlamentare, por Haxhiu reagoi duke i kërkuar që të mos insistonte në ndryshimin e rendit të ditës.

Ajo theksoi se kjo pikë do të mbetej në fund të rendit të ditës dhe u bëri thirrje deputetëve që të mos paraqisnin kërkesa të tjera, duke iu referuar ndjeshmërisë së çështjes dhe diskutimeve që e kanë shoqëruar atë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.