
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës, ka dhënë shifra për numrin e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë që, për shkak të mungesave të barnave, i kanë siguruar terapitë në mënyrë private.
Sipas Vitisë, rreth 70 pacientë e kanë siguruar privatisht barin Palbociclib, po aq edhe Bevacizumab, ndërsa rreth 12 pacientë kanë siguruar Dabrafenib.
Ai bëri të ditur se rreth 70 pacientë kanë siguruar Bicalutamide, ndërsa 14 pacientë Sorafenib.
Vitia deklaroi se tashmë janë marrë të gjitha masat lidhur me këtë çështje.
“gjatë vitit 2025, për shkak të mungesës së institucioneve dhe Kuvendit, nuk ka pasur as ndëgjime buxhetore dhe as nuk është miratuar buxheti. Kjo situatë ka vazhduar deri në muajin mars, ku, përkundër kërkesës për rritje të buxhetit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, është kaluar buxheti me synim që në muajin maj-qershor të bëhet rishikimi. Por deputet i nderuar, ky rishikim nuk ndodhi, pasi në muajin prill u shpërnda Kuvendi dhe u futëm në proces zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit. Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit dhe transferit të mjeteve, menjëherë kanë filluar procedurat e reja tenderike, marrë parasysh shpenzimin e shpejtë të këtij medikamenti. Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues” tha ai…