
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen zyrtare të edicionit të 14-të të Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW2026), organizuar nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK) nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Në fjalën e tij, Kurti tha se ndërmarrësia nuk është vetëm ekonomi, por edhe mundësia që njeriu të jetojë nga dija dhe puna e vet.
“Jemi duke ecur e përparuar mirë si shtet. Në dhjetë vitet e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese. Vitin e kaluar, eksporti ynë i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti rreth 400 milionë euro, 14 për qind më shumë se një vit më parë apo me një rritje, që është sa trefishi i rritjes së Bruto Produktit Vendor”, tha ai.
Kryeministri theksoi se qëllimi për vitet e ardhshme është një ekonomi që prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon vlerë më të lartë, teksa shtoi se një ide e lindur në Kosovë duhet të ketë mundësi të rritet këtu dhe të dalë prej këtu në botë.
“Inovacioni dhe teknologjia, padyshim se do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, pra sa më efikase, sa më pak kohë, sa më shumë produktivitet dhe zhvillimin e prodhimeve e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar e me potencial eksportues”, tha Kurti mes tjerash.