Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Miqësorja e sotme me Katarin, futbollistët shqiptarë kërkojnë rezultat pozitiv

Gazeta10
09 November 2022 - 11:41

Kombëtarja e Shqipërisë po i zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjes së sotme miqësore kundër Katarit.

Me fillim nga ora 18:30, Shqipëria e zhvillon miqësoren e radhës kundër Katarit, e cila luhet në Marbella të Spanjës, raporton Gazeta10.

Atmosfera është tejet e mirë në kampin e “kuqezinjve”, dhe këtë gjë e kanë konfirmuar edhe lojtarët, të cilët e shohin këtë test si rast shumë të mirë për ta bindur trajnerin Edoardo Reja, e veçanërisht lojtarët e kampionatit vendor, respektivisht të Superligës së Shqipërisë.

Mesfushori Sherif Kallaku u shpreh tejet i lumtur që është rikthyer në grumbullim me Shqipërinë, ndërsa shpreson në rezultat pozitiv kundër Katarit sot.

“Jam shumë i lumtur për rikthimin tim në Kombëtare. Ky në fakt është grumbullimi i dytë i Kombëtares që është bërë me lojtarë kryesisht nga Abissnet Superiore. Atmosfera është shumë e mirë dhe për fat të mirë të gjithë lojtarët njihen me njëri-tjetrin dhe ambientimi në grup është shumë i lehtë. Uroj shumë që të marrim një rezultat pozitiv në këtë miqësore të radhës. Normalisht është një test shumë i mirë për ne, sepse nuk duhet ta shohim si një ndeshje miqësore, por si një ndeshje të vërtetë e zyrtare e që do të na japë mundësi të na tregojë se ku jemi, sidomos për ne lojtarët e kampionatit shqiptar. Shpresoj shumë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, tha Kallaku.

Po ashtu, edhe për Esin Hakaj është kënaqësi tejet e madhe grumbullimi me kombëtaren shqiptare, ndërsa mesfushori shkodran e cilësoi miqësoren e sotme si një mundësi për të treguar potencialin e tij.

“Sigurisht ndihem mirë kur të thërret Kombëtarja, është një ndjesi e mirë dhe çdo lojtar mezi e pret këtë ftesë. Atmosfera është shumë e mirë normalisht, do të mundohemi që të japim më të mirën në mënyrë që të kemi kënaqësinë të marrin sërish ftesën nga Kombëtarja A. Do të jetë një ndeshje që do ta shërbejë shumë të gjithëve, jam i bindur se do të bëjmë maksimumin. Grumbullimi në Kombëtaren A është diçka shumë pozitive për çdo lojtar nga kampionati shqiptar e që ka vlerë për karrierën dhe uroj që të na ndihmojë kjo ndeshje për të pasur edhe mundësi të tjera në të ardhmen me Kombëtaren”, – tha Hakaj.

Miqësorja e sotme kundër Katarit është e dyta me radhë për Shqipërinë, ku muajin e kaluar “kuqezinjtë” barazuan 1:1 me Arabinë Saudite./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.