
Aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist kanë kërkuar ndëshkimin e të gjithë personave që, sipas tyre, nuk i kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ato kanë zhvilluar një aksion para Kuvendit të Kosovës, derisa Komisioni Hetimor Parlamentar po interviston zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë lidhur me këtë rast.
Aktivistja Qëndresa Hyseni tha se në kuadër të komisionit kanë filluar intervistimet dhe se në listën e të ftuarve për intervistim janë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në rast.
Ajo theksoi se kërkesa e tyre është që personat që nuk kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre të ndëshkohen dhe të ndiqen penalisht.
“Qysh edhe e kemi pasur sot, kanë filluar intervistimet e para për rastin e Alindës që të përfshihet dhe të ftuar për intervistë është kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, po ashtu dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë në rastin e Alindës, për neve mbetet çështje shumë e rëndësi qysh komisioni po i trajton këto raste, po ashtu a ka me pasë dënime për krejt personat e përfshirë dhe ndjekje penale për moskryerjen e përgjegjësive të tyre të punës. Andaj sot jemi këtu me iu treguar që ne nuk jemi me u ndalë deri në momentin që kërkesat tona, që lidhen kryekëput me ndëshkimin e personave të cilët nuk kanë marrë përgjegjësi në rastin e Alindës, me u dënuar”, tha ajo.
Hyseni kundërshtoi edhe vendimin për mbajtjen me dyer të mbyllura të një pjese të intervistimit në Komisionin Hetimor, duke thënë se kjo mund të lërë jashtë vëmendjes së publikut çështje të rëndësishme të rastit.
“Mbyllja e komisionit tregon qartë që shumë çështje tentojnë me qenë jashtë syrit të publikut. Tu qenë jashtë syrit të publikut nënkupton që mundet me pasë raste të cilat nuk kanë me shkuar në drejtimin që ne po kërkojmë, që është me kërkuar drejtësi për Alindën edhe me dërguar deri në fund këtë drejtësi”, tha ajo.