
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qytetarët serbë në veriun e Mitrovicës janë duke u kërcënuar nga Beogradi, raporton Gazeta10.
Haxhiu ka thënë se Qeveria është në anën e qytetarëve serbë dhe se vazhdimisht janë duke bërë thirrje për të mos bojkotuar punën.
“Nuk është në rregull me thanë që po i leni qytetarët serbë në mëshirë të fatit. Ne po themi që ne jemi në anën e qytetarëve serbë, Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdimësi i ka bërë thirrje zyrtarëve që të mos bojkotojnë punën e tyre dhe që mos dorëzojnë mandatet e tyre mirëpo duhet me pasë parasysh që ata po kërcënohen nga Beogradi”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, Haxhiu ka thënë se Qeveria është e vetëdijshme për kërcënimet që ata po i marrin dhe se kjo është adresuar edhe me ndërkombëtarët.
“Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimet që i bëhen qytetarëve serbë nga Beogradi dhe këtë e kemi adresuar edhe me aleatët”, ka thënë më tej Haxhiu.
Kujtojmë se serbët në veriun e Kosovës janë tërhequr nga institucionet e Kosovës pas supsendimit të komandatit të policisë rajonale të veriut nga Qeveria e Kosovës, Nenad Gjurqi. / Gazeta10