Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Limaj përmend rastin e Ramush Haradinajt dhe Hajredin Abazit: Gjykata Ndërkombëtare e Hagës lejoi qëndrimin e tyre

Gazeta10
18 November 2026 - 20:49

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet Jakup Krasniqi gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, duke përmendur dy raste të mëparshme kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kishte lejuar trajtim ndryshe për të akuzuarit që vizitonin vendin.

Limaj përmendi rastet e Hajredin Abazit dhe Ramush Haradinajt duke thënë se atyre u ishte mundësuar qëndrimi në shtëpitë e tyre dhe se institucionet e Kosovës kishin marrë përgjegjësinë për mbikëqyrjen e tyre.

Ai tregoi se Hajredin Abazit, pas vdekjes së vëllait dhe vajzës, i ishte lejuar të qëndronte tri net në shtëpi, të priste vizita dhe të merrte pjesë në ceremonitë mortore, nën kujdesin e Policisë së Kosovës.

“Janë dy raste që unë i kujtoj. Rasti i Hajredin Abazit, Hajredini ka nejt tri net në shtëpi, një kujdesje e veçantë e rojes nga Policia, kanë shkuar njerëzit kush ka dashtë, e ka vizitu, ka fjetë në shtëpi dhe i ka kry ceremonitë mortore”, deklaroi Limaj.

Sipas Limajt, një praktikë e ngjashme ishte zbatuar edhe në rastin e Ramush Haradinajt, kur kishte vdekur Enveri.

Ai e cilësoi trajtimin e Jakup Krasniqit si të papranueshëm dhe jashtë standardeve të të drejtave, duke kritikuar faktin që institucionet e Kosovës nuk po marrin përgjegjësi për mbikëqyrjen e tij gjatë qëndrimit në vend.

Limaj tha se është poshtëruese që një ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, ish-anëtar i delegacionit të Rambujesë dhe një prej figurave të luftës çlirimtare të trajtohet në këtë mënyrë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.