
Vrasja e rëndë në Suharekë që dyshohet se ndodhi pas një mosmarrëveshjeje të çastit ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe qarkullimin e armëve në Kosovë. Lidhur me rastin, avokati Emrush Kastrati në Gazeta ka thënë se, përveç rëndësisë së krimit, shqetësues është edhe fakti se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në prani të bashkëshortes dhe fëmijës së viktimës.
Kastrati ka theksuar se asnjë motiv nuk mund ta arsyetojë vrasjen, ndërsa ka ngritur pikëpyetje edhe për përgjegjësinë e institucioneve, nëse vërtetohet se i dyshuari ka qenë recidivist dhe arma është poseduar pa leje.
“Vërtet është shqetësues ky rast, sikurse edhe rastet e tjera që po ndodhin në Kosovë për motive të paarsyeshme. Asnjë motiv nuk e arsyeton vrasjen. Nga disa informacione rezulton se i dyshuari për kryerjen e veprës penale ka qenë recidivist. Procesi hetimor do t’i zbardhë të gjitha rrethanat, përfshirë edhe çështjen nëse arma ka qenë me leje apo pa leje. Nëse rezulton se personi ka pasur të kaluar kriminale dhe institucionet përkatëse kanë pasur informacione për të, atëherë lind edhe çështja e përgjegjësisë institucionale”, ka deklaruar Kastrati.
“Përveç vetë vrasjes, që është një krim shumë i rëndë, edhe më shqetësuese është se, siç kemi lexuar, kjo ka ndodhur në praninë e bashkëshortes dhe fëmijës. Megjithatë, pavarësisht vendit dhe mënyrës së kryerjes, një vepër e tillë duhet të jetë e dënueshme”, është shprehur ai.
Duke folur për aspektin ligjor, Kastrati ka theksuar se Kodi Penal parasheh dënime të rënda për veprat penale të vrasjes, ndërsa për vrasjen e rëndë mund të shqiptohet edhe dënimi me burgim të përjetshëm, varësisht nga rrethanat dhe vlerësimi i gjykatës.
“ Kodi i kategorizon dy vepra penale, vrasjen, e cila zakonisht dënohet nga pesë deri në 25 vjet burgim, dhe vrasjen e rëndë, e cila në raste të tilla mund të dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim, me mundësi edhe të burgimit të përjetshëm, nëse gjatë gjykimit vlerësohet se meriton një sanksion të tillë penal”, ka deklaruar avokati Emrush Kastrati.