
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka protestuar sot para Rektoratit, në shenjë kundërshtimi ndaj emailit të dërguar nga rektori, të cilin studentët e kanë cilësuar si kërcënues.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Flon Kastrati, ka thënë se dialogu me rektorin nuk mund të zhvillohet pa tërheqjen e fjalëve dhe kërkimfaljen e tij.
“Dialogu nuk mund të bëhet pa e tërhequr fjalën dhe pa kërkuar falje. Kjo është pika jonë e parë. Nuk mund të lejojmë që problemet me të cilat përballen studentët brenda njësive akademike të mbeten vetëm probleme të atyre njësive akademike. Mbi të gjitha nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur kolegët tanë, mantelbardhët e ardhshëm, kërcënohen me ndërprerje të studimeve. Mesazhi i rektorit synonte të frikësonte një njësi akademike, por zgjoi 13 të tjera”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati ka thënë se pakënaqësitë e studentëve nuk kanë lindur me emailin e fundit, por janë grumbulluar ndër vite për shkak të “keqmenaxhimit të zbatimit të rregulloreve dhe marrëveshjeve të pa zbatuara”.
“Email-i i djeshëm nuk ishte arsyeja e vetme e mobilizimit tonë, as deklarata e tij e vonshme dhe e cekët në të cilën nuk kërkoi falje dhe nuk u tërhoq nga qëndrimet e tij. Këtu pakënaqësitë e studentëve nuk kanë lindur dje, por ato janë grumbulluar me vite nga keqmenaxhimi i zbatimit të rregulloreve, nga marrëveshjet e pa mbajtura, nga vendimet që krijojnë pasiguri akademike dhe nga një qasje që nuk i ka hije një drejtuesi prej universitetit më prestigjioz në hapësirën shqiptare”, ka thënë Kastrati.