Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti i përgjigjet Rrahmanit për fertilizimin: Të më quash kundër familjes është absurde

Gazeta10
19 November 2026 - 14:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Eman Rrahmani, janë përplasur në seancën e Kuvendit lidhur me Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Deputeti Rrahmani kritikoi Qeverinë për angazhimin që ky projektligj të miratohet, duke ngritur shqetësime lidhur me të drejtën e fëmijëve për të njohur prindërit biologjikë, si dhe dispozitat që, sipas tij, lidhen me surrogacinë dhe sterilizimin.

Në përgjigje të tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria që ai drejton ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër e pasluftës për mbështetjen e nënave, fëmijëve dhe familjeve.

Pas kësaj përgjigjeje, Rrahmani reagoi sërish, duke thënë se kryeministri nuk iu përgjigj pyetjes së tij lidhur me përmbajtjen e projektligjit. Ai përsëriti kundërshtimet për dispozitat që, sipas pretendimeve të tij, lejojnë surrogat dhe sterilizimin në mosha të reja.

“Ju si qeverisje, lejoni sterilizimin e vajzave 18-vjeçare me vullnet të lirë. Në ligjin për fertilizim, lejoni që burrat 23 vjet lejohet sterizilimi i burrave”, tha Rrahmani.

Kryeministri Kurti i hodhi poshtë pretendimet e deputetit të PDK-së, duke e ftuar atë që të njihet me rastet konkrete dhe të bashkëbisedojë me personat që preken nga kjo çështje.

“Pretendimet kundër nesh për këtë çështje nuk janë të vërteta.. Shikoni rastet konkrete dhe bashkëbisedoni me ta, ndoshta ka ardhur koha me i dhënë fund ankesave tuaja në emër të grave të Kosovës, nuk e di se a i përfaqësoni, mendja ma merr që jo”, tha Kurti.

Në debat ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi mënyrën se si Rrahmani po e trajtonte çështjen e grave dhe vajzave.

Haxhiu e akuzoi deputetin për manipulim dhe deklaroi se nuk do të lejojë një qasje të tillë në Kuvend, duke ia ndaluar marrjen e mëtejshme të fjalës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.