
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime nga kryeministri Albin Kurti lidhur me deklaratën e tij të mëhershme se familjarët dhe farefisi “janë për dasma e jo për institucione”, duke e pyetur nëse vazhdon t’i qëndrojë këtij qëndrimi.
Në përgjigje, kryeministri Kurti tha se vazhdon t’i qëndrojë prapa qëndrimit për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Musliu ia kujtoi Kurtit deklaratën.
“Në vitin 2019 gjatë fushatës zgjedhore patët deklaruar se farefisi dhe familjarët janë për dasma, e jo për institucione. A mendoni edhe sot ashtu, apo qëndrimi juaj ka ndryshuar”, tha ajo.
Kurti tha se papunësia dhe korrupsioni, që më parë ishin ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, sipas tij, nuk renditen më në mesin e pesë shqetësimeve kryesore.
“Kjo deklaratë e imja kur e shikova është bërë jo në vitin 2019 por 2021 sepse nga maskat vërehet se ishte kohë pandemie. Së dyti, ju e keni shkurtuar deklaratën me pak fjalë, por unë i qëndroj prapa asaj, luftimi korrupsionit dhe nepotizmit pa asnjë koncesion apo kompromis. Nëse mbani mend dekadën e kaluar, në top tre brengat kryesore të qytetarëve kanë qenë rregullisht papunësia dhe korrupsioni. Sot nuk janë as në top tre as top pesë. Pse nuk është më? Pikërisht se ruhet paraja publike dhe nuk ka më për tendera as ryshfet në fillim, as harraq në fund. Unë kam thënë që të mos jetë lidhja familja e farefisi.. As dy vëllezërit e mi, as prindërit nuk kanë ardhur kurrë në zyrën time të qeverisë, ma gjeni një Kurti të avancuar”, tha Kurti.
Pas kësaj përgjigjeje, deputetja Musliu përmendi një sërë emrash të personave të punësuar në institucione publike, duke vazhduar debatin për nepotizmin dhe punësimet në institucionet shtetërore.
Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se edhe gjatë kohës kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, familjarët e anëtarëve të saj kanë qenë të punësuar.
Ai kërkoi nga deputetja e PDK-së të tregojë se cili prej personave të përmendur nuk kishte qenë i pari në listë gjatë procesit të angazhimit.
“Edhe kur kemi qenë në opozitë anëtarët e familjeve tona nuk është se nuk kanë punuar diku. Dukuria e nepotizmit dhe korrupsionit nuk ekzistojnë më në Kosovë. Do të duhej të na tregoni cili nga këta emrat nuk ka qenë në krye të listës kur janë angazhuar”, tha Kurti.