
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, po vazhdon vizitën e tij humanitare në Kosovë, të cilën e ka të lejuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë për arsye humanitare, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Krasniqi tashmë ka hyrë në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, ndërsa detaje lidhur me vizitën e tij ka dhënë gazetari Zeqir Hasani, në një lidhje direkte në emisionin “Përditë”.
Hasani bëri të ditur se Krasniqi po qëndron çdo ditë në shtëpinë e tij në lagjen “Velania” të Prishtinës, nga ora 08:00 deri në orën 17:00, nën përcjelljen e forcave të EULEX-it dhe me masa të shtuara sigurie.
“Jakup Krasniqi tashmë ka hyrë në ditën e tretë me radhë të kësaj vizite humanitare, të lejuar nga trupi gjykues në Hagë. Bëhet fjalë për gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij. Siç shihet edhe në pamje, në një perimetër rreth 100 metra qëndron një patrullë policore, për të mbajtur rendin dhe për të mos lejuar afrimin e personave te shtëpia e ish-kryekuvendarit, përveç banorëve që kanë shtëpitë afër tij”, deklaroi Hasani.
Ai tha se, sikurse në ditët paraprake, Krasniqi mbërrin në shtëpinë e tij rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe qëndron deri në orën 17:00, kur më pas merret nga zyrtarët e EULEX-it dhe dërgohet në zyrat e këtij misioni.
“Burimet tona kanë konfirmuar se kjo vizitë do të zgjasë gjithsej katër ditë, përfshirë nesër, para se të niset sërish për në Hagë”, bëri të ditur gazetari.
Sipas Hasanit, situata aktualisht është e qetë, ndryshe nga ditët e para të vizitës, kur pati edhe grumbullim të njerëzve. Ai përmendi edhe rastin e vëllait të Krasniqit, të cilit nuk iu lejua vizita, pavarësisht deklarimeve publike lidhur me këtë çështje.
