
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pasur së fundmi një deklarim të gjatë lidhur me planin franko-gjerman i cili ka kohë që diskutohet dhe i njejti së fundmi u publikua edhe në mediat e Kosovës.
Kështu, Konjufca, ka thënë se thelbi i planit franko-gjerman është heqja dorë e pretendimeve të Serbisë karshi Kosovës.
“Bashkësia ndërkombëtare, shtetet më të fuqishme europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë – do t’ia propozojnë Serbisë një plan i cili në thelb, nëse do ta përkthesh se çka i bie esenca e tij, është të heqësh dorë në pretendimet e saj njëherë e përgjithmonë prej Kosovës. Ky është thelbi. E ky është plani franko-gjerman”, tha Konjufca.
Tutje, Konjufca ka përmendur specifikisht edhe nenin ku mbështetet kjo marrëveshje.
“Aty është neni 2 dhe neni 2 i kësaj marrëveshje është thelbi i kësaj marrëveshje. Ndërtohet prej tri principeve: është e drejta e barabartë e shteteve; është respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”.
Më tej, Konjufca ka thënë se nuk mund të ketë krahasime midis Planit të Ahtisarit dhe planit franko-gjerman, sipas tij plani i Ahtisarit ka qenë për Kosovën ndërsa ky është për Serbinë.
“Nëse mund ta bëj një krahasim, Plani i Ahtisaarit ka qenë më shumë plan për Kosovën, ky tjetri është më shumë për Serbinë. Nëse pajtohet Serbia që Kosova është e pavarur – që relacionet mes Kosovës dhe Serbisë do të organizohen sipas artikullit 2 të kapitullit 2 të Kombeve të Bashkuara që është e drejta e barabartë e shteteve që shkruan aty respektimi i sovranitetit reciprok, si dhe e drejta e Vetëvendosjes të të dyja palëve – atëherë unë mendoj që thelbi i kësaj është shumë më i rëndësishëm se nota verbale e njohjes. Mendoj që plani, mesa e kam, kuptuar përbëhet prej rrathëve koncentrikë. Rrethi i parë koncentrik është ai që do që të vendosë një zgjidhje afatgjate që i normon relacionet ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës. Me siguri kjo është për shkak se – po mundohem të kuptoj logjikën e atyre që e kanë përpiluar – që Serbia me heq dorë prej Kosovës”.
Konjufca ka përmendur edhe një plan që ai e ka vlerësuar si problematik.
“Tash aty është edhe një princip tjetër pastaj që mundet me qenë problematik për neve që thotë se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet e deritashme”.
Ai ka përmendur edhe rezervat e tij.
“Këto rezerva që i kemi bërë, paraprihen prej fjalisë që “ky është një plan bazë, plan i mirë për t’i zgjidhur deri në njohjen e plotë relacionin e Kosovës dhe Serbisë””.
Më tej, Konjufca ka thënë se nuk pajtohet me të 100%.
“Nuk është se pajtohemi 100% përqind ne me atë plan…Unë nuk them që ky është një plan i mirë për Kosovën, sepse s’mund ta quaj të mirë diçka që nuk është në përputhje 100% me interesat tona. Ne gjithmonë kemi thënë që duhet me qenë me njohje”.
Ai ka thënë se vazhdimisht që nga koha kur e ka parë këtë plan ka qenë duke i llogaritur pasojat dhe avantazhet. Ka bazë të mirë, ka thënë ai më tej.
“Prej shtatorit kur e kam pa këtë plan jam duke i matur pasojat dhe të mirat. Baza e tij, më duket që u tha edhe prej kryeministrit se është një bazë e shëndoshë për të ecur përpara, për arsye se aty është neni 2”.
Glauk Konjufca ka thënë se duhet një konsensus nacional për këtë plan e ku opozita ende nuk ka pozicionim të qartë.
“Na duhet një konsensus nacional për këtë plan i cili ende nuk është krijuar, pjesa më e madhe e opozitës nuk është pajtuar me atë takim ku Kurti i ka ftuar. Me thënë të drejtën ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që në ato pjesë problematike nëse ka ndonjë brenda planit që e shohim ne, duhet të krijojmë konsensus nacional, se me bë me na ndodh çarjet, p.sh, thyerje të mëdhaja rreth këtij plani, mendoj që Kosova humb shumë”.
Më tej, Konjufca ka thënë se ky plan nuk e zgjidh problemin por është një hap i madh para për ta zgjidhur atë.
“Edhe kur e nënshkruan Serbia këtë marrëveshje, ajo çdo moment mund ta thyejë këtë. Për shembull mund ta sulmojë Kosovën. Nuk e zgjidh problemin siç po mendojmë, por mendoj që është hapi më i madh deri tash për ta zgjidhur problemin prej 99-ës”. / Gazeta10