
Në emisionin “Politiko” në Kanal10, Burim Korqa ka kritikuar partitë opozitare në Kosovë, duke vlerësuar se ato nuk po arrijnë të ofrojnë alternativa bindëse për qytetarët dhe as të rikthejnë vëmendjen e tyre drejt opozitës.
Ai ka thënë se partitë opozitare po përqendrohen më shumë në problemet dhe zhvillimet e tyre të brendshme, sesa në temat që preokupojnë qytetarët.
“Fatkeqësisht, njëkohësisht, po merren më shumë me vetveten sesa me opozitëbërjen. Për momentin, për temat kryesore që janë shumë të rëndësishme për qytetarët, Aleanca është duke bërë opozitë, por edhe ajo është pak e brishtë, sepse nuk po i çon temat deri në fund”, ka deklaruar Korqa.
Duke folur për kauzën e opozitës lidhur me Gjykatën Speciale, Korqa ka vlerësuar se partitë opozitare duket se e kanë humbur këtë betejë politike përmes veprimeve të tyre, të cilat, sipas tij, i kanë kushtuar dhe mund t’i kushtojnë edhe më shumë, veçanërisht Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kritika ka pasur edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), sidomos për mënyrën se si është trajtuar çështja e presidentit. Sipas Korqës, edhe kjo parti ka bërë një “autogol” me veprimet e saj në këtë drejtim.
Sipas tij, partitë opozitare nuk po arrijnë t’i çojnë deri në fund temat dhe kauzat që janë të rëndësishme për qytetarët, duke u fokusuar më shumë në politikat e tyre të brendshme dhe në kundërshtimin e Qeverisë, pa ofruar një alternativë të qartë politike.