
Profesori dhe analisti politik, Basri Muja, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka kritikuar qasjen e partive opozitare, duke vlerësuar se ato nuk po arrijnë ta shfrytëzojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisjes për të ndërtuar një alternativë të re politike.
Ai ka thënë se, pavarësisht shumicës së ngushtë parlamentare të Qeverisë, aktualisht nuk sheh gatishmëri të mjaftueshme nga opozita për të ndërmarrë hapa konkretë në sfidimin e saj.
Muja ka vlerësuar se katër vitet e ardhshme në opozitë përbëjnë një periudhë të rëndësishme për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për të realizuar reforma të thella brenda strukturave të tyre partiake.
Sipas tij, në të dyja partitë ekzistojnë pakënaqësi dhe dallime të brendshme, të cilat duhet të adresohen përmes proceseve të mirëfillta zgjedhore dhe demokratike.
Ai ka theksuar se këto procese do të mundësonin bashkimin e krahëve të ndryshëm brenda partive dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.
Sipas Mujës, konsolidimi i brendshëm i PDK-së dhe LDK-së është një nga çështjet me të cilat këto parti duhet të merren gjatë kohës sa do të jenë në opozitë.