
23 xhandarë nga Karabinierët Italian i janë bashkuar Njësiti policor i Misionit të Bashkimi Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë EULEX. Ky mision ka njoftuar se ata do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë pas situatës së krijuar në veri, derisa shtimi i kësaj prezence sipas ish-kryenegociatores për dialog Edita Tahiri mund ta kthej veriun e vendit në protektorat, raporton Gazeta10.
Raporti Gresa Bardhecaj
Kamera Tonin Fejza
Njësiti policor i Misionit të Bashkimi Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë EULEX, është përforcuar me 23 karabinierë italian.
Siç ka njoftuar EULEX-i, ata do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë pas situatës së krijuar në veri, si forca shtesë në terren nëse kërkohet dhe është e nevojshme.
“Njësi Policore e Specializuar Rezervë e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë. NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme. Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj.”
Për arritjen e përforcimeve të karabinierëve italian ka njoftuar të martën mbrëma Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Kanal10 ka kërkuar të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtit kanë kërkuar që pyetjet t’i dërgohen Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Mirëpo, televizioni përgjigje nuk ka marrë as nga ky institucion.
Ndërkaq ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se shtimi i kësaj prezence mund ta kthej veriun e vendit në protektorat.
“Shtimi i prezencës se Eulex-it ne veri i shërben qetësisë dhe sigurisë, mirëpo, kjo rrezikon ta kthej ne protektorat veriun, te cilën e synon Serbia. Qeveria duhet te jap shpjegime si u rrit prezenca e eulexit ne veri, a u kërkua leje nga qeveria, apo ndoshta kjo qeveri kaq lehte dorëzon sovranitetin ne veri te cilën e arritëm me shumë mund përmes dialogut te Brukselit.”
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Avni Islami, shtimi i përforcimeve nga EULEX-i ka ardhur si pasojë e vëzhgimit dhe lëvizjeve të dyshimta në veri.
EULEX ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që një NJPSR zbarkohet në Kosovë, pasi një njësi e tillë me 70 xhandarë kishin ardhur në mars të këtij viti./Gazeta10.