Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër, takohen drejtorët e doganave të Shqipërisë dhe Kosovës

Gazeta10
29 November 2026 - 17:45

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave i Shqipërisë Fation Shehu dhe homologu i tij nga Kosova Agron Llugaliu, diskutuan sot gjatë një takimi në Tiranë mbi intensifikimin e bashkëpunimit operacional përmes patrullimeve të përbashkëta në kufirin e gjelbër,si një instrument për shtimin e efektivitetit të kontrolleve.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë, takimi shërbeu për të diskutuar mbi ecurinë e bashkëpunimit dhe identifikimin e hapave konkretë për zgjerimin e tij, në funksion të një administrimi doganor më efikas dhe lehtësimit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Një tjetër çështje e diskutuar në takim ishte forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit online ndërmjet strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe menaxhimin e riskut, me synim evidentimin në kohë të problematikave dhe reagimin e koordinuar ndaj tyre.

Po ashtu, u vlerësua rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e sistemeve informatike dhe logjistikës, duke synuar ndërveprim më të mirë mes administratave, modernizimin e proceseve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.

Palët riafirmuan vullnetin për të vijuar dialogun dhe bashkëpunimin e ngushtë, duke synuar kthimin e çështjeve të diskutuara në iniciativa konkrete në interes të të dy administratave doganore dhe operatorëve ekonomikë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.