
Një pjesë e sindikatave kanë paralajmëruar greva e veprime tjera sindikale në rast se Projektligji i Pagave nuk procedohet në Kuvend deri në janar të vitit të ardhshëm. Nga SBASHK-u kanë deklaruar se institucionet nuk po tregohen bashkëpunuese e as reflektuese pas grevës së mbajtur. Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë treguar se adresimi i komenteve është në fazën përfundimtare, ndonëse nuk kanë dhënë informacione se kur do të procedohet ky projektligj për shqyrtim dhe votim në qeveri, raporton Gazeta10.
Raporti:Fjolla Xheladini
Kamera: Valmir Gashi/Kanal10
Kosova rrezikon të përballet me greva e protesta të punëtorëve të sektorit publik edhe në janar të vitit të ardhshëm.
Kështu së paku po paralajmërojnë disa sindikata në rast të mosprocedimit të Projektligjit të Pagave në Kuvendin e Kosovës deri atëherë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë se institucionet nuk po tregohen bashkëpunuese e as reflektuese pas grevës së mbajtur.
Jasharaj është shprehur se nuk është optimist që ky projektligj do të kalojë në Kuvend gjatë muajit janar, për shkak të procedurave të tej zgjatura, andaj edhe ka paralajmëruar veprime sindikale.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, Ali Gashi, ka thënë se kanë dërguar të gjitha vërejtjet për këtë ligj, derisa ka shtuar se kjo mostransparencë vetëm se do të shtojë pakënaqësitë e punëtorëve të sektorit publik.
Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se adresimi i komenteve është në fazën përfundimtare, ndonëse nuk kanë treguar se kur do të procedohet ky projektligj për shqyrtim dhe votim në qeveri.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të adresojë çdo koment i cili është në përputhje me parimet që ka vendosur Projektligji. Adresimi i komenteve veçse është në fazë përfundimtare. Pas përfundimit të hapave procedural që parasheh legjislacioni në fuqi, Projektligji do të procedohet për shqyrtim dhe votim në Qeveri në momentin që do të përfundojnë procedurat e kostos financiare”.
Një Ligj të Pagave Kosova e kishte miratuar në vitin 2019,por para se të niste zbatimi i tij, pas kërkesës të Institucionit të Avokatit të Popullit, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Ligji nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm atë./Gazeta10.