Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Ismaili e Gashi s’pritet t’i shpëtojnë dënimit prej 20 muajsh

Gazeta10
10 November 2022 - 23:06

Raportoi: Luljeta Beselica, Kamera: Deurit Shaljani dhe Valmir Gashi.

Vuajtjes së dënimit prej 20 muajsh secili, nuk pritet t’i shpëtojnë ish gjyqtari Rafet Ismaili dhe ish polici, Blerim Gashi.

Ata akuzohen nga Gjykata Themelore në Prishtinë për ushtrim ndikimi.

Ismaili akuzohet se ka ndikuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të dënuarin Florim Zekaj, ndërsa Gashi akuzohet se ka ndikuar në Gjykatën Supreme.

Sipas tyre, kjo gjykatë nuk i ka dënuar në bazë të dëshmive, por në bazë të paragjykimeve.

Florim Zekaj, i akuzuar për disa vepra penale në një emision në televizionin T7 kishte telefonuar nga burgu i Dubravës duke thënë se deklaratat i kishte dhënë nën presion si dhe i ishte premtuar atij zvogëlim të dënimit nëse bashkëpunon me prokurorinë.

Avokati i Rafet Ismailit, Naim Rudari ka thënë se deklarimi nën presion nuk mund të merret si provë në fazën e gjykimit.

Këta të dy akuzohen se kanë marr mito nga i dënuari Zekaj, Rafet Ismaili pretendohet se i ka marrë 1 mijë e 500 euro në emër të borxhit, ndërsa 1 mijë euro po nga i njëjti person pretendohet se i ka marrë edhe Blerim Gashi, sipas tij për ta vërtetuar se është duke e rregulluar pensionin e babait të tij.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se ka ndërmarr gjitha veprimet procedurale të parapara me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, sa i përket ekzekutimit të dënimit lidhur me rastin në fjalë

Gjykata e Apelit më 2021 e kishte kthyer lëndën e këtyre dy të akuzuarve në rigjykim.

Në rigjykim janë dëgjuar edhe disa dëshmitarë të cilët kishin dëshmuar në favor të të akuzuarve por pavarësisht kësaj, gjykata Themelore i ka dënuar.

Mbrojta e tyre ka bërë kërkesë edhe në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë por e njëjta e ka refuzuar këtë.

“Refuzohen si të pabazuara, kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësve të të dënuarve, R.I. dhe B.G., të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, të datës 11.02.2022 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, të datës 26.05.2022”, thuhet në vendimin e Supremes.

Tash së fundmi, vlerësim të procedurës kanë kërkuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.

“Përkitazi me kërkesën tuaj ju njoftojmë se, në Gjykatën Kushtetuese është pranuar kërkesa e parashtruar nga z. Blerim Gashi, më 7 tetor 2022. Kjo lëndë aktualisht është në fazën fillestare të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Për më shumë se një muaj të dy kanë bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për përsëritje të lëndës për shkak të provave të reja./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.