
Raporti: Kanal10
Ndonëse, ambasadori Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ftuar që sot të jepte dëshminë e tij para Komisioni Hetimor Parlamentar, ai përmes një shkrese ka kërkuar kohë që deri më 29 apo 30 nëntor të mos ftohej për intervistim, për shkak të angazhimeve. E duke i konsideruar si të vona datat e propozuara, Komisioni i dha afat Berishajt që ai të vijë në Kosovë deri më 20 nëntor.
Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt i është dhënë kohë deri më 20 nëntor që të dëshmojë në komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike.
Ambasadori Berishaj ka qenë i ftuar për të premten që të dëshmojë në këtë komision, por me arsyetimin se është i ngarkuar me aktivitete kishte kërkuar që një gjë e tillë të shtyhet për në fund të nëntorit.
Pasi ka lexuar letrën e tij me arsyetimet për shtyrjen e dëshmisë, kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, ka propozuar që deri më 20 nëntor ambasadori Berishaj të zgjedh se kur mund ta jap dëshminë.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka propozuar që për intervistim të ftohet edhe ish-udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Besim Imeri.
Derisa, bashkëpartiaku i tij, Abelard Tahiri, ka thënë se Imeri ka nënshkruar tri memorandume që kanë rezultuar me 20 milionë euro transaksione.
Por, në mungesë të kuorumit kjo kërkesë e PDK-së nuk ka kaluar, me ç’rast Tahiri ka thënë se pushteti është duke ndërhyrë në këtë hetim parlamentar.
Ndryshe, ambasadori Berishaj dyshohej se ishte përfshirë në një aferë të shpëlarjes së parave në Slloveni, për çka më pastaj kishte nxitur reagime për dorëheqjen dhe shkarkimin e tij. / Kanal10