
Ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se askush nuk e ka besuar se paqja do të jetë kaq e kërcënuar në këtë vit, raporton Gazeta10.
Hoxhaj ka filluar me luftën në Ukrainë teksa ka përmendur edhe Kosovën si dhe kërcënimet që vijnë nga projektet e Serbisë për dominimin e saj në rajon.
Më tej, Hoxhaj ka thënë se arritja e një marrëveshjeje është urgjente.
Ish kryediplomati jashtëm ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet europian nuk i shërben askujt tjetër përpos Rusisë.
Këto komente Hoxhaj i ka bërë në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Lidershipit Europian për marrëdhënie mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Këtu keni postimin e plotë:
“Miq të dashur,
Nga prania ime në Konferencën e Lidershipit Evropian për marrëdhënie mes Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimit Evropian – Vështirësitë dhe prespektiva, dua të ndaj me ju fjalën time si pjesë e këtij paneli ku u fol për gjendjen dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. E organizuar në Vjenë nga Federata Universale e Paqes dhe Akademia Diplomatike e Vjenës, kisha nderin të jem pjesë e panelit të përbërë nga politikanë të shquar të kohës nga e gjithë Ballkani Perëndimor. Ish-presidentët e Shqipërisë – Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ish-presidenti kroat – Stipe Mesić, ish-kryeministrja kroate – Jadranka Kosor, ish-presidentin e Malit të Zi – Filip Vujanovic, deputetin e Parlamentit Evropian – Lukas Mandl dhe me të tjerë, ndamë eksperiencat dhe pikëpamjet tona rreth të ardhmes së Ballkanit Perëndimor.
Askush nuk ka besuar se paqja, stabiliteti dhe siguria në Ballkan do të jenë aq të kërcënuara në fund të vitit 2022, sikurse janë sot! Kërcënimet ndodhin jo si shfaqje periferike e agresionit rus mbi Ukrainën, por për shkak të konflikteve të papërfunduara në Ballkan. Nëse lufta është rikthyer në këtë vend sepse Rusia nuk ka mundur t’i tejkalojë paranojat dhe traumën e shpërbërjes sovjetike, sot Serbia kërcënon Kosovën, Bosnjen, Malin e Zi, për shkak të humbjes së idesë së Serbisë së madhe para dy dekadave në Ballkan dhe paranoja serbe ndaj të tjerëve në rajon. Evropa është e vendosur ta luftojë me çdokusht projektin e “Botës ruse” por, në rajon nuk po lufton planin e “Botës serbe” që është një emër i ri për idenë e vjetër të “Serbisë së madhe”.
Kjo ka bërë që edhe pse lufta ka përfunduar me 1999, Serbia ndjek më tutje ndaj Kosovës platformën e njëjtë që ka sjellë deri te vet lufta! E kur agjenda politike mbetet e njëjtë, nuk ka parakushte politike, shoqërore dhe morale, as për normalizim politik dhe ndërshtetëror. Prandaj, njohja e ndërsjellë është qëllim, mjet dhe themel i çdo marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, si gurthemel i paqes rajonale në Ballkan. Arritja e një marrëveshjeje është urgjente, por ajo mund të ndodhë nëse uniteti politik i brendshëm në Kosovë mbështetet nga uniteti euroatlantik.
Por, tashmë paqja është kërcënuar sepse BE-ja ka hequr dorë nga politika e saj e zgjerimit ndaj Ballkanit dhe nëse shpresa ishte që rizgjimi gjeopolitik i Evropës do të sjellë një ndryshim në politikën evropiane ndaj Ballkanit, kjo, nuk do të ndodhë tani! Status-quoja në Ballkan është një recetë degradimi dhe është koha që BE-ja dhe NATO-ja të lëvizin me shpëjtësi të re ndaj rajonit, duke i ofruar Kosovës anëtarësim në Partneritetin për Paqe, si hap i parë i anëtarësimit në NATO, në Këshill të Evropës dhe njohjen nga 5 vendet jonjohëse të BE-së.
Mosnjohja e plotë evropiane ndaj Kosovës, që deri më tani s’ka ndodhur për arsye të ndryshme, sot nuk i shërben askujt tjetër përveçse Rusisë dhe kundërshtarëve të perëndimit në Ballkan dhe më gjerë! E Bashkimi Evropian do gjejë mision dhe rol në Ballkan nëse mbështetë zgjerimin kolektiv të të gjitha vendeve të rajonit dhe heq dorë nga politika e hapave të vegjël, e cila nuk mund të arrijë politikisht, ekonomikisht, dhe sa i takon sigurisë, asgjë të madhe në rajon!”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10