
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Komuna e Klinës dhe ajo e Istogut shprehen të kënaqura me menaxhimin e buxhetit. Me ndarjen buxhetore për vitin 2023-2025 ata shprehen se janë duke punuar në disa fusha dhe projekte të ndryshme. Mirëpo, opozita e shoqëria civile kanë hedhur kritika për ndarjet buxhetore, shkruan Kanal10.
Menaxhimi i buxhetit nga Komuna e Klinës po kritikohet nga opozita.
Sipas tyre, i gjithë investimi po bëhet në infrastrukturë, derisa fushat tjera po mbesin të mangëta.
Zafer Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje në Klinë thotë se komuna ka bërë premtime për fusha të ndryshme të cilat po i anashkalon.
Por, kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj shprehet i kënaqur me ndarjen e buxhetit për shumë fusha.
Shifra më të larta nga buxheti për barazinë gjinore ka ndarë Komuna e Istogut.
Drejtori i Financave në Istog, Genc Ademaj thotë se kjo komunë ka trefishuar shumën për barazinë gjinore, derisa shton se në fokus janë edhe te rinjtë e komunitetet e tjera.
Mirëpo, nga shoqëria civile kërkojnë angazhim më të madh të komunës për rininë dhe komunitetet.
Në shtator të këtij viti është aprovuar buxheti i komunave, për vitin 2023.