
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell ka raportuar të hënën para Këshillit Ministrave të BE-së për zgjidhjen e situatës mes Kosovës dhe Serbisë. Borell ndër të tjera ka thënë se kanë paraqitur një propozim për të zgjidhur ngërçin mes dy vendeve, raporton Gazeta10.
Raporti: Gresa Bardhecaj
Kamera: KP/EU
Një javë para fillimit të aplikimit të masës së dytë të shqiptimit të gjobave për vozitësit me targa ilegale, janë intensifikuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri, të krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Të hënën në mëngjes, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell ka raportuar para Këshillit Ministrave të BE-së për situatën në pjesën veriore.
Nga Brukseli, Borell ka thënë se Kosovës dhe Serbisë i kanë propozuar një zgjidhje, pa dhënë shumë detaje.
“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë këtë fundjavë në Paris. U takova me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur me krizën e tanishme. Ne duhet ta trajtojmë modalitetin e krizës dhe t’i qasemi nga ana strukturore. Ne kemi paraqitur një propozim. Ky propozim duhet të diskutohet, është një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më duhet të ju them të dyja palëve, të përmbushin angazhimet e tyre, të respektojnë angazhimet, të zbatojnë marrëveshjet e kaluara, të cilat tashmë janë rënë dakord shumë vite më parë, dhe të fillohet me gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Borrell.
Kurse, sipas drejtuesit të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, propozimi i BE-së ka të bëjë me shtyrjen e vendimit dhe formimin e Asociacionit.
Borrell ka zhvilluar të premten takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Paris.
Në këto takime, Borell ka theksuar se serbët duhet të kthehen nëpër institucione dhe se Kosova duhet të harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit.
Derisa, krijimin e këtij mekanizmi e kundërshton Qeveria e Kosovës, e cila gjithashtu nuk ka marr parasysh kërkesat për shtyrjen e vendimit për targat./Gazeta10.