
Nderimi i ushtarëve serb nga garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç shihet në disa fotografi ka nxitur reagime të shumta. Mirëpo, Ministria e Mbrojtjes ka mohuar se ushtarët e FSK-së të kenë nderuar ushtarët serb, por aty kanë qenë për të nderuar ushtarët francez dhe gjerman të Luftës së Parë Botërore, raporton Gazeta10.
Raporti Gresa Bardhecaj
Kamera Kanal10
Reagime të shumta ka nxitur një fotografi në të cilën shihet garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke nderuar ushtarët serbë të rënë gjatë vitit 1912.
Kjo ngjarje është përcjell nga Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me rastin e ceremonisë së 104 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Mirëpo, Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një sqarim ku kanë theksuar se trupat e FSK-së kanë nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane.
“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje. Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman. Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb.”
Edhe sipas ish-kolonelit të FSK-së Hysen Gecaj, e gjithë ngjarja ka të bëjë me lëshim organizativ dhe është keqkuptuar pozicioni i ushtarëve.
Në sqarimin e Ministrisë së Mbrojtjes, theksohet se ushtarët nderojnë vetëm popujt mbrojtës të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit./Gazeta10.