
Raporti: Val Ajazi / Kanal10
Një pjesë e lagjes “Sofalia” në kryeqytet, po kanë mungesë të ujit të pijes tash e katër vite. Banori i kësaj lagjeje Ymer Ramabaja thotë se vetëm një herë kanë pasur ujë, ndërkohë tash detyrohet të bartë ujë nga vende të tjera. Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, kanë se projekti që ka bërë komuna e Prishtinës nuk ka qenë më standarde të duhura, andaj ka probleme me furnizim me ujë, derisa komuna s’ka kthyer përgjigje, shkruan Kanal10.
Të paktën tri herë në javë, Ymer Ramabaja nga lagjja “Sofalia” në kryeqytet, detyrohet që të bartë ujë disa kilometra largësi.
Para katër viteve, ishte bërë instalimi i rrjetit të ujësjellësit, por 15 shtëpi në këtë lagje thonë se kanë pasur ujë vetëm njëherë.
Ramabaja thotë se e ka të vështirë, ngase i duhet të gjejë mënyra alternative për t’u furnizuar me ujë.
Madje, banorët duhet t’i paguajnë edhe faturat ujit, ani pse nuk kanë ujë fare.
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku, ka thënë se problemi qëndron në projektin që ka bërë komuna e Prishtinës, andaj uji nuk arrin deri në atë lagje.
Nga Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje televizionit për këtë çështje.