Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mungesa e lëshimit të dokumenteve, kritikohet MPB-ja

Gazeta10
17 November 2022 - 19:07

Raporti: Kanal10

Edhe për çështjen e mungesës së materialeve për dokumente të udhëtimit, Qeveria e Kosovës e ka bërë shkaktare luftën në Ukrainë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se lufta atje ka ndikuar në rrjetet e furnizimit. Por, për këtë, ai është kritikuar nga partitë opozitare, shkruan Kanal10.

Qytetarët e Kosovës do të duhet të presin edhe më shumë se dy muaj për t’u pajisur me pasaporta.

Gjithashtu, me javë të tëra duhet të presin edhe për letërnjoftime, apo patentë-shofer.

Kjo situatë, ka shkaktuar përplasje në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet deputetëve të partive opozitare dhe ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla.

Këtë gjendje, ky i fundit, e ka arsyetuar me mungesën e materialit, derisa ka thënë se pritet që në fund të këtij muaji të ketë furnizim me materiale për patentë-shofer dhe letërnjoftime, e pas dy muajve me pasaporta.

Sveçla ka thënë se situata e krijuar pas luftës në Ukrainë, ka ndikuar në furnizimin me lëndë të parë për prodhimin industrial.

Por, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë përgjegjëse MPB-në për mungesën e materialeve, duke thënë se lufta në Ukrainë nuk mund të jetë shkaktare e ndërprerjes së lëshimit të dokumenteve personale.

Kjo më pas ka nxitur reagimin e ministrit Sveçla.

Opozita ka adresuar kritika ndaj ministrit Sveçla edhe për mos emërimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, për çka ai ka thënë se faza e dorëzimit të aplikimeve është përmbyllur, ndërkaq tashmë do të themelohet komisioni me anëtarët, duke shtuar se pavarësisht kësaj nuk vërehen ngecje në kryerjen e detyrave.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.