
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, është pyetur për Gjykatën Speciale të Kosovës dhe nëse një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe në Ukrainë për luftën e nisur nga Rusia, raporton Gazeta10.
Nuk u përgjigj konkretisht për punën e Gjykatës Speciale, por Kurti tha se tribunalet ndërkombëtare janë të nevojshme.
“Në ish-Jugollsavi rreth 150 mijë joserbë janë vrarë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë dhe për fat të keq në Serbi, asnjë 150 njerëz nuk kanë shkuar prapa grilave. Bashkësia ndërkombëtare, BE, vendet demokratike nuk mund të mbështeten në gjykatat e një vendi të vetëm. Për këtë arsye tribunalet ndërkombëtare janë të nevojshme. Ish-Jugosllavia kishte një tribunal të veçantë ndërkombëtar në Hagë, i cili ka sjellë disa rezultate, por ende shumë punë mbetet për t’u bërë.”, ka thënë Kurti.
Tutje, kryeministri ka kujtuar edhe krimet serbe të kryera në Kosovë duke thënë se drejtësia nuk është përmbushur.
“Vetëm në vendin tim në Kosovë, 10 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, 10 përqind prej tyre fëmijë, janë dhunuar shumë gra, 120 mijë shtëpi janë djegur apo dëmtuar, 860 mijë refugjatë është dashur të ikin për shkak të gjenocidit të Serbisë dhe nuk ndiejmë që drejtësia është përmbushur. Ne do të forcojmë institucionet tona në Kosovë dhe përpiqemi t’i dënojmë kriminelët e luftës dhe kemi nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sepse çdo gjë tregon se pajtimi dhe paqja e qëndrueshme pa drejtësi nuk mund të arrihet”, ka thënë kryeministri../Gazeta10