
Raporti:Arza Kastrati
Marrëveshja për targa, sipas njohësve të dialogut Kosovë-Serbi pritet të dinamizojë procesin e dialogut. Ata thonë se nëse ka vullnet dhe investim të aleatëve ndërkombëtarë mund të ketë lëvizje konkrete. Megjithatë, theksohet se dialogu është i brishtë dhe në çdo moment mund të bllokohet, pasi Serbia në thelb nuk po pranon të njoh Kosovën.
Pas arritjes së marrëveshjes për targat, analistë të çështjeve politike janë shprehur optimist për arritjen e një ujdie për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi gjatë vitit të ardhshëm.
Ata kanë thënë se arritja e kësaj marrëveshje pritet ta dinamizojë procesin e dialogut.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se në kuadër të dialogut duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet teknike dhe palët të fokusohen tek ujdia finale.
Edhe analisti, Gazmir Raci është shprehur optimist se mund të ketë lëvizje pozitive për arritjen e një marrëveshje gjatë vitit 2023.
Ndërsa, Arbër Fetahu nga GLPS, ka thënë se pret një fillim të negociatave me një model më ndryshe.
Ai ka thënë se pas institimit të SHBA-së, negociatat do të jenë më intensive, deri në arritjen e një marrëveshje.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e arritur për targat, i hap rrugë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, për çka sipas tij, do të bëhen përpjekje intensive. / Kanal10