
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë interpelancës sot ka thënë se Kosova duhet të kërkojë një marrëveshje finale dhe jo të mesme as fillestare, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se Kosova ka aleatët e saj si dhe orientimin e saj.
“Të kuptojmë një gjë të thjeshtë, Kosova është atdheu ynë, SHBA-të janë aleatët tanë, NATO është destinacioni ynë i sigurisë, Europa është e ardhmja jonë”, ka thënë Abdixhiku.
Më tej ai ka thënë se ka një momentum të ri dhe se Kosova në këto rrethana duhet të kërkojë një marrëveshje finale.
“Në këtë momentum të ri, Kosova duhet të kërkojë marrëveshje finale kryeministër, jo të mesme, jo fillestare, por marrëveshje finale”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se duhet të ketë një koordinim të madh me aleatët perëndimor dhe se duhet të ketë edhe një konsensuz të brendshëm politik.
“Duhet të ecë ngushtë, shumë ngushtë me aleatët, me aleatët tanë SHBA-në dhe BE-në por para se gjithash Kosova duhet të jetë e përbashkuar brenda spektrit politik”, ka thënë ai më tej.
Kujtojmë se së fundmi ka pasur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e paraprirë nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, rrethana këto që e dërguan Qeverinë e Kosovës në përplasje të hapur me bashkësinë ndërkombëtare.
Po ashtu, së fundmi është duke u diskutuar edhe plani franko-gjerman si një zgjidhje për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi. / Gazeta10