
Historiani Durim Abdullahu, përmes një postimi në Facebook ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar dje gjatë debatit në emisionin “Politiko”, raporton Gazeta10.
Abdullahu, ka shprehur empati për të gjithë personat që kanë humbur jetën gjatë regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri.
“Më vjen shumë keq për publikun që mbrëmë pa atë spektakël me defilime mendimesh dogmatike prej mendjesh të indoktrinuara nga ideologji kriminale. Me ndërgjegje të lartë shpreh empatinë time ndaj gjithë jetëve të humbura dhe të shkatërruara të viktimave dhe familjarëve të tyre, edhe atëherë kur i mbijetuan regjimit enverist. Studimi i kësaj periudhe dhe i historisë së enverizmit është parakushti dhe rruga qendrore e njohjes së asaj periudhe dhe e luftimit të elementëve të kësaj trashëgimie.”, ka shkruar Abdullahu.
Tutje, historiani ka thënë se duhet luftuar me mbijetojat e trashëgimisë së enverizmit, duke u përballur me Enverin dhe duke e shpalosur të vërtetën për periudhën e qeverisjes së tij.
“Mbijetojat e trashëgimisë së enverizmit në Kosovë sikur edhe në Shqipëri, duhen luftuar edhe duke i përballur me Enverin, përkatësisht me historinë e tij prej diktatori gjakatar që e vrau, e burgosi, e internoi, e izoloi, e dhunoi, e varfëroi dhe e la në prapambeturi popullin shqiptar për gjysmë shekulli. Pikërisht këtë u përpoqëm të bëjmë mbrëmë në Politiko në Kanal 10, ku u pa që përballja e enverizmit me Enverin, është ekzorcizëm për enveristët.”, ka shkruar Abdullahu.
Gjatë debatit të mbrëmshëm në “Politiko”, ish i burgosuri për çështje politike, Fehmi Berisha kishte shprehur simpati për veprat e ideologjinë e Enver Hoxhës duke thënë se “Shifrën 5680 të vrarë gjatë periudhës së Enver Hoxhës. Unë veç për 24 orë sonte n’Kosovë, qaq i kisha vjerrë në sheshin e Prishtinës.”.
Tutje Berisha kishte kërcënuar edhe panelistin tjetër që ishte në studio Halil Matoshin duke i thënë “Të parin Halil Matoshin e kisha vjerr”.
Për këtë prokuroria sot ka paralajmëruar se ka filluar hetimet./Gazeta10