Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ngrihen dyshime nëse foshnja do të mund të shpëtohej, SHSKUK heshtë

Gazeta10
01 December 2022 - 19:18

Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10

Pas vrasjes së 35 vjeçares nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, janë ngritur dyshime nëse nga ana e punëtorëve shëndetësorë janë bërë përpjekje për shpëtimin e foshnjes. Njohës të kësaj fushe thonë se për rastin nuk ishte njoftuar as anesteziologu e as mjeku kujdestar në Klinikën e Gjinekologjisë, derisa nga kjo e fundit nuk pranuan të deklarohen për rastin.

Me t’a parë të shtrirë në tokë, u ofruan për t’ia dhënë ndihmën e parë.

Por pasi ia matën pulsin, e konstatuan se 35 vjeçarja shtatzënë ishte pa shenja jete, punëtorët shëndetësorë e mbuluan viktimën me çarçaf të bardhë.

Ndërsa, nga ana e stafit mjekësor, thuhet se nuk u panë përpjekje për shpëtimin e foshnjës së viktimës, e cila ishte në javën e 41 të shtatzënisë.

E për këtë edhe u ngritën dyshime, nëse foshnja do të mund të shpëtohej po të intervenohej me kohë nga ana e punëtorëve shëndetësorë

Mediet kërkuan sqrime nga ushtruesja e detyrës së minsitres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku e nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Mirëpo, asnjëra nuk pranuan t’i përgjigjen pyetjes së gazetarëve, se a do të mund të shpëtohej foshnja.

Gazetari Bujar Vitia ka thënë se në bazë të informacioneve që ka siguruar deri tani, as anesteziologu, as mjeku kujdestar e as punëtorët shënetësorë të Klinikës Emergjente nuk kanë qenë të njoftuar në lidhje me rastin.

Ndërsa, nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj ka thënë se edhe vetë punëtorët shëndetësorë kanë qenë të shokuar nga rasti.

Ai është shprehur se në momentin që ata kanë konstatuar vdekjen e viktimës, kanë mundur të konstatojnë edhe nëse foshnja ka qenë gjallë.

Televizioni gjatë ditës ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, e gjinekolog të kësaj klinike, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërsa, në mbledhjen e së enjtes të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, deputetë të opozitës kërkuan që të japin dorëheqje morale, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.