Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kritikojnë kryeministrin se vetëm po shfajësohet, gjuhën e tij e cilësojnë si skandaloze

Gazeta10
01 December 2022 - 19:45

Raporti: Val Ajazi/Kanal10
Partitë opozitare kanë hedhur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, pas rastit të vrasjes së gruas në oborrin e QKUK-së. Opozita ka akuzuar ekzekutivin se vetëm po shfajësohet, duke mos i kryer detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë takuar për ta parandaluar rastin. Derisa, për këtë kryeministri Kurti ka thënë se dhuna në familje ka marr përmasa shqetësuese në Kosovë.

Dy shkrime në rrjetin social brenda 24 orëve, nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, kanë nxitur reagime të shumta.

Për vrasjen e gruas nga bashkëshorti i saj, brenda oborrit të QKUK-së, Kurti ka shkruar gjatë, por që pa përmendur fare përgjegjësinë institucionale.

Kreu i ekzekutivit kosovar, ka thënë se dhuna në familje në Kosovë është duke u përhapur në mënyrë shqetësuese.

Ai ka thënë se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

“Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.”

Por, kritika ndaj Kurtit kanë adresuar krerët e partive opozitare.

Gjuhën e Kurtit, si skandaloze e ka quajtur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke akuzuar atë edhe për qasjen shfajësuese.

“Ju vazhdoni të shfajësoheni, duke bërë të gjithë fajtorë, opozitën, shoqërinë, mësuesit, policinë, gjykatësit, mjekët, por asnjëherë, ama asnjëherë, veten dhe ministrat e tu. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme – unë nuk pres dorëheqje as llogaridhënie nga askush në Qeverinë tënde. Për të dhënë dorëheqje, duhet të kesh integritet, moral dhe etikë, të jesh i përgjegjshëm e profesional. Ju nuk keni këso profile në kabinetin tuaj. Keq, shumë keq!”

I ashpër ndaj Kurtit ka qenë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se kryeministri po flet si analist e si opozitar, duke mos e kuptuar sipas tij, se është udhëheqës i shtetit.

“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme. Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë. Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim.”

Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka bërë kryeministrin Kurti bashkëpjesëmarrës në krim, duke përmendur uljen e pagave të gjykatësve e prokurorëve, grevat në arsim, ikjen e mjekëve e raste të tjera.

“Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur “mashtrues” dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pas dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!”

Përveç opozitës, kritika ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të drejtësisë, kanë adresuar edhe përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, si dhe njohës të sistemit të drejtësisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.