Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Zhvillimet në veri, Kryeziu: Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet e sigurisë për hapat e mëtutjeshëm

Gazeta10
07 December 2022 - 13:18

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, ka thënë se Qeveria po pret vlerësimin e situatës në veri nga organet e sigurisë për hapat e mëtutjeshëm, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë treguar gadishmëri për të ofruar kushte për mbajtjen  e zgjedhjeve.

Më tej, ai ka thënë se pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë.

Tutje, Kryeziu ka thënë se aktet e dhunës duhet të dënohen nga të gjithë dhe se qytetarët kanë të drejtë për të pasur përfaqësimin e tyre.

Këtu keni postimin e plotë:

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e tij në Facebook.

Dje pasdite dhe në mbrëmje, në komunat veriore, në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut ka pasur shpërthime sistematike.

Ndërkohë, para pak orësh, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se janë të shqetësuar se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve për momentin. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.