Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Muja demanton lajmin për kalimin e Trustit

Gazeta10
07 December 2022 - 16:51

Përkundër që në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa që është mbajtur gjatë ditës ishte konstatuar votimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.

Deputeti Muja në mbledhjen e radhës të këtij komisioni që po mbahet tani, tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për Trustin. Sipas tij, do të duhej të ishin 5 vota për, jo katër.

“Në mbledhjen e sotme të Komisionit, me rastin e votimit të Projektligjit për plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, në votim kanë marrë pjesë 9 anëtarë të Komisionit, pro kanë qenë 4, kundër kanë qenë 3, dhe abstenim kanë qenë 2. Me këtë është konstatuar se Komisioni e ka përkrahur projektligjin për miratim në parim. Megjithatë, bazuar në nenin 37 të Rregullores së Kuvendit, komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim që në këtë rast, për të kaluar në emër të Komisionit, do të duhej të kishte 5 vota për, që nuk është arritur. Dhe me ketë konstatoj se Komisioni nuk e ka përkrahur Projektligjin për miratim në parim ashtu siç parashihet me Rregulloren e Kuvendit”, theksoi Muja

Gjatë ditës Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar dhe votuar për këtë projektligj, me 4 vota pro, tri kundër dhe dy abstenime.

Nënkryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi të përsëritet votimi, por për një gjë të tillë nuk është pajtuar pozita.

Në këtë mbledhje, mori pjesë edhe deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili u zhgënjye me konstatimin e fundit që nuk kalon Trusti. Ai fillimisht uroi që ka kaluar Trusti, por deputeti Muja i tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Urime që kaloi Trusti! O Zoti pa ju vra mos e lashtë!”, tha me ironi Tahiri.

Pas kësaj, Komisioni votoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Opec për Zhvillim Ndërkombëtar./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.