
Raporti: Gresa Bardhecaj
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është dënuar me 26 vite burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Salih Mustafa i njohur si komandat Cali është shpallur fajtor për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, krime këto që sipas Gjykatës Speciale janë kryer në Zllash, në prillin e vitit 1999.
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën, i njohur si komandat Cali.
Mustafa është shpallur fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërkaq është liruar nga pika e akuzës për trajtimin mizor.
Trupi gjykues ka thënë se prokuroria ka vërtetuar pretendimet e saj përtej dyshimit të arsyeshëm se këto krime ishin kryer në prill të vitit 1999, në kompleksin e ndalimit në Zllash.“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”
Tutje, trupi gjykues ka shtuar se këto krime janë kryer ndaj gjashtë shqiptarëve të cilët janë mbajtur dhe janë keqtrajtuar në qendrën e ndalimit në Zllash.
“Nga tërësia e provave trupi gjykues konstatoi se të paktën 6 personave ju hoq liria afërisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s ose ushtarë të tjerë të UÇK-së në vende të ndryshme përreth Zllashit. Më tej, ata ju dorëzuan anëtarëve të BIA-s në kompleksin e ndalimit në Zllash. Provat vërtetojnë qartësisht se kompleksi i ndalimit në Zllash kontrollohej vetëm nga BIA dhe komandanti i saj zoti Mustafa”.
Dënimi ndaj ish-eprorit të UÇK-së është aktgjykimi i parë i Speciales për pretendimet për krime lufte.
Salih Mustafa ishte arrestuar më 24 shtator 2020, kurse procesi gjyqësor ndaj tij kishte filluar më 15 shtator 2021.
Gjatë kësaj periudhe ishin dëgjuar 29 dëshmitarë, 14 të ZPS-së dhe 15 të mbrojtjes. / Kanal10